Tondach, çatia е padepërtueshme

Nuk janë pak ata që mendojnë se, çatia përbëhet vetëm nga tjegullat.

Por në të vërtetë, nën tjegullat “fshihet” një sistem i tërë aksesorësh, të cilët kujdesen, në sinkron të plotë, që çatia jonë të strehojë komfortin e familjes dhe miqve tanë për vite e vite me radhë.
 
Ja cilët janë aksesorët kryesorë që nuk duhet t`i harrojmë për të qenë të sigurtë se çatia jonë do t`i qëndrojë stuhive dhe erërave më të rrëmbyera dhe do të mbetet e padepërtueshme.   

Tjegullat Tondach – Forma ka rëndësi

Çatitë shtrohen zakonisht me tjegulla qeramike, të cilat kanë formë specifike dhe lehtësisht të dallueshme për çdo model, po kanë edhe mjaft tipare të përbashkëta. Tipari i parë dallues që bie në sy janë “këmbëzat” e vogla që çdo tjegull i ka nga poshtë. Këto këmbëza ndihmojnë për vendosjen e tjegullave mbi listela dhe në këtë mënyrë rreshtohen në vijë të drejtë dhe fiksohen pas konstruksionit të listelave.  
 
Tipar tjetër dallues janë hullitë në anën e majtë dhe të sipërme të tjegullës, të cilat sigurojnë atë “kapje” të çdo tjegulle me tjegullën tjetër çka i mban tjegullat njëra me tjetrën dhe nga ana tjetër ka një funksion mjaft të rëndësishëm: mbron nga depërtimi i ujit të shiut nën tjegulla, edhe kur shiu bie pjerrtas.
 
Mirëpo, a mjafton e gjithë kjo që të kemi një çati të sigurt nga erërat e forta?  

Fiksimi i tjegullës me vidë – Nuk mjafton vetëm forma

Me siguri do të pranosh se, këto dy të dhëna për tjegullat do të mjaftonin për të pasur një çati të shtruar drejtë me tjegulla të fiksuara fortë dhe të sigurt nga shiu. Ndërtuesit do të shtonin dhe një argument tjetër për rezistencën ndaj erës: tjegullat mbahen pas njëra tjetrës edhe falë peshës së vet, dhe si rrjedhojë era nuk mund t`i zhvendosë. Mbase po, kur vrulli i saj nuk është shumë i fortë, por çfarë ndodh kur fryjnë erëra të fuqishme?
 
Prandaj, po të vijojmë të ndjekim formën e tjegullave, dallojmë një gjë tjetër të rëndësishme: janë vrimat në pjesën e sipërme, një ose dy (në varësi të modelit). Këto vrima janë parashikuar për vidat fiksuese, të cilat do të garantojnë se çatia jonë nuk do të dorëzohet lehtë nga erërat e stuhishme.
 
Në vijim të vëzhgimit do të konstatojmë madje një ndërvarësi midis numrit të vrimave për fiksim dhe formës së tjegullës. Do të vëmë re, për shembull, se sa më e sheshtë të jetë tjegulla, aq më dukshëm vihet re se tjegulla ka jo një por dy vrima, çka do të thotë se duhet të fiksohet me dy vida. Dhe kjo është logjike, pasi modelet me valëzim më të lartë përdoren për çati në stilin mesdhetar (me pjerrësi të ulët: 10-15о), ndërsa tjegullat më të sheshta – për stilin kontinental dhe madje edhe për stilin alpin (me pjerrësi më të madhe: mbi 45о).
 
Të mos flasim pastaj se te disa modele skaji i poshtëm i tjegullave mund të dalë edhe jashtë në fasadën vertikale. Zakonisht, tek pjerrësitë më të ulëta, mjafton që çdo rresht i dytë ose i tretë i tjegullave të fiksohen me vidë mbi listelat mbajtëse, ndërsa tek pjerrësitë më të larta çdo tjegull duhet të fiksohet me vidë, dhe në disa raste edhe me dy vida. Prandaj, nëse kemi filluar të ndërtojmë një çati të sigurt, le të mos bëhemi kopracë për vidat.

Siguria gjatë horizontales, po edhe gjatë vertikales: Kapësja për fiksim anësor të tjegullave

Deri këtu i përballuam erërat e fuqishme dhe parashikuam për çatinë tonë të re sasinë e mjaftueshme të vidave që do të sigurojnë fiksimin e qëndrueshëm të tjegullave pas rrjetit të listelave. Por çfarë do të ndodhë, nëse erërat do të arrinin fuqinë e uraganit? Kemi jo pak shembuj për erëra të kësaj natyre edhe në rajonet tona gjeografike. I kemi siguruar rreshtat horizontale, por erërat e uraganit a mund të ngrenë tjegullat duke i kapur nga skaji i poshtëm? Fatkeqësisht, përgjigja është “Po. Skaji i poshtm është më i rrezikuar në rastet e furisë së madhe të erës”.
 
Megjithatë, kjo përgjigje nuk duhet të na shqetësojë, sepse ne kemi zgjidhje edhe për fiksimin e vertikales. Në këto raste hyjnë në përdorim kapëset për fiksim anësor. Këto lloj kapësesh gjithashtu fiksohen pas listelave, por në rreshtin e poshtëm, dhe mëshojnë mbi tjegullën anash, ku profili i kapëses puthitet me profilin e hullisë anësore të tjegullës. Funksioni i tyre është të fiksojnë tjegullën aq fort, sa që të mos e tundin dhe nga poshtë as vrundujt më të tërbuar të erës. 

Kulmoret nuk janë vetëm për zbukurim: Bashkimi i kulmorit të brinjëzuar

Pasi të bindemi se, çatia jonë është e shtruar në mënyrë të sigurt, na mbetet të kujdesemi për punën finalizuese: kulmoret. Na duhen patjetër këto lloj tjegullash, pavarësisht nëse bëhet fjalë vetëm për kurorën ose për brinjët, sepse ato mbyllin dy fusha dhe sigurojnë daljen e ajrit nga hapësira e konstruksionit nën çati, jashtë çatisë. Është ky funksioni i kulmorëve.
 
Dhe këtu duhet një saktësim shumë i rëndësishëm: Le t`i japim fund praktikës së vjetër të ngjitjes me llaç të kulmoreve nga poshtë që ka vite që nuk praktikohet. Çatia duhet të “marrë frymë”.
 
Pra, t`i lëmë tjegullat kulmore të kryejnë punën e tyre dhe t`u japim hapësirën e duhur duke bërë montimin pa llaç. Ky lloj montimi bëhet me disa mbajtëse listelash shumë shpejtë dhe lehtë, dhe për më tepër në mënyrë të drejtë, ndërkohë që parandalimin e futjes së papastërtive dhe dëborës nën tjegullat kulmore do t`ia lëmë shiritit të ajrimit, i cili vihet nën kulmore dhe shtrihet gjatë tjegullave të rreshtit të fundit.

Dhe po t`i kthehemi përsëri temës së stuhive, del pyetja si të parandalojmë kulmoret të “fluturojnë lirshëm“?

Punë e kollajshme! Për çdo kulmore përdorim kapëse për kulmore, e cila e fikson atë pas listelës së kulmit me një gozhdë dhe e lidh në mënyrë të sigurt me kulmoren tjetër. Pra, me një mbërthim të thjeshtë kulmoret puthiten në vendin e tyre dhe ndërkaq kanë një distancë të mjaftueshme nga tjegullat që mundëson qarkullimin e lirë të ajrit nga streha te kulmi, ajrimin e hapësirës së nënçatisë e gjithashtu mban të thatë konstruksionin nën çati.
 
Natyrisht, në fund dhe në fillim të brinjës, ose aty ku takohen kulmi me dy ose më shumë brinja, këto kulmore duhet të kenë një fund të sigurt, po dhe estetik. Këtu përdoren si kulmorë tjegulla brinjëfilluese dhe tjegulla shpërndarëse, ngandonjëherë edhe tjegulla shpërndarëse të brinjave me 4 dalje, të cilat gjithashtu duhet të fiksohen. Për këtë qëllim përdoret gozhda në formë të kambanës.

Shtresat nën çati : mbrojtja e maskuar e çatisë

Kuptohet që duhet të kujdesemi edhe për komponentët e tjerë të sistemit. Midis tyre janë dhe shtresat hidroizoluese që lejojnë difuzionin. Këto zënë një vend kyç në gamën e Tondach. Shtresa hidroizoluese që lejon difuzionin ka disa funksione kryesore: 
Përbën një barrierë ndaj depërtimit të ujit (si rezultat i shiut ose depërëtimit të dëborës) në drejtim të konstruksionit nën çati ku kemi elemente mbajtëse prej druri, shtresa për izolim termik, hapësira të përdorshme. Si barrierë ndaj depërtimit të ujit shtrohet nga ana e sipërme e izolimit termik dhe menjëherë nën tjegulla. Nëse ka nevojë, uji i depërtuar çohet nëpërmjet membranës drejt ulluqeve të çatisë. Për këtë arsye është me rëndësi të sigurohet rezistencë perfekte e membranës ndaj depërtimit të ujit në tërë sipërfaqen e saj. Janë parashikuar edhe aksesorë shtesë si shirita ngjitëse nga të dyja anët, shirita vetëngjitëse për kontralistelat, etj., të cilat shërbejnë për hermetizimin e mëtejshëm të membranës.
 
Membrana është një sistem shumështresor i depërtueshëm për avullin, që lejon avujt e ujit të cilët kanë depërtuar në konstruksionin e çatisë si rezultat i veprimtarisë së njeriut, të kalojnë pa problem përmes saj e të dalin në atmosferë pa shkaktuar kondenzim. Në këtë mënyrë ruhen vetitë e tjegullave për periudhën e shfrytëzimit dhe nuk del nevoja që ato të ndërrohen shpesh; gjithashtu konstruksioni prej druri i çatisë nuk kalbet, ruhen vetitë termoizoluese të izolimeve, eliminohet përkeqësimi i mikroklimës, pasi në ambientet e banimit nuk zihet myk.
 
Membranat që ofron Tondach për konstruksionet nën çati sigurojnë rezistencën ndaj depërtimit të ujit, lëshimin e avujve, qëndrueshmërinë termike dhe qëndrueshmërinë ndaj vjetërsimit, dhe kanë fortësi mekanike që është absolutisht e nevojshme gjatë punimeve të montimit. Ato kanë një rezistencë të mjaftueshme ndaj zjarrit dhe nuk e lejojnë djegien, pra, janë një material mjaft i sigurt në zonat rreth oxhaqeve. Këto janë karakteristika të rëndësishme, falë të cilave membranat për konstruksionet nën çati ndihmojnë për sigurimin dhe mbrojtjen e sistemit të përgjithshëm të çatisë. Sigurisht, garancia e  larmisë në produktet që ofrohen dhe që janë të përshtatshme për shije dhe preferenca të ndryshme, është ndër elementet qenësore në politikën e Tondach. Dhe në këtë mes nuk bëjnë përjashtim as membranat për lëshimin e avujve që ofron Tondach  për konstruksionet nën çati.
 
Membranat Tondach për konstruksionet nën çati janë strukturuar me tre shtresa: shtresa e sipërme mbrojtëse parandalon dëmtimin e shtresës aktive të lëshimit të avujve gjatë shtrimit të tjegullave, si edhe siguron rezistencë ndaj rrezeve ultravjollcë (të ashtuquajturit vjetërsim); shtresa e mesme aktive praktikisht kontrollon lëshimin e avujve; shtresa e poshtme mbrojtëse parandalon dëmtimin e membranës nga ashpërsitë e sipërfaqes së konstruksionit prej druri.

Kohë për qetësi = Familje e lumtur

Elemente të vogla, por me shumë rëndësi. Përdorimi i tyre do të shënojë përmbylljen e suksesshme të montimit të drejtë. Nëse deri këtu i kemi bërë mirë detyrat e shtëpisë, na mbetet vetëm një gjë: të shijojmë qetësinë dhe rehatinë nën çatinë tonë të re dhe të sigurt.

Artikuj të ngjashëm